menu close menu

Zemra e Krishtit dhe Zemra e Zojes


E KREMTJA E ZEMRËS SË KRISHTIT
(E premtja pas të dielës së II pas Rrëshajëve)

Festa e Zemrës së Shenjtë të Krishtit, që adhurohet shumë edhe në popullin tonë, është relativisht e kohës së vonshme, edhe pse devocioni ndaj Zemrës së Krishtit është i njohur para se të aprovohej kjo festë nga Kisha, dhe para se t’i dëftohej Jezu Krishti Shën Margharitës. Kjo festë për shumë vite ka bashkuar besimtarët tanë në Katedralen e Shkupit kushtuar Zemrës së Krishtit. E falënderojmë Zotin se tash edhe në Kosovë i kemi dy kisha të reja kushtuar Zemrës së Krishtit, ajo në Viti dhe tjetra në famullinë e Budisalcit në Jagodë.
Besojmë se gjithnjë e më tepër do të shtohet devocioni ndaj kësaj Zemre e cila identifikohet me dashurinë e Zotit të shfaqur ndaj nesh. Mbi të gjitha, përveç këtyre tempujve të shenjtë kushtuar Zemrës së Krishtit, dëshira e zjarrtë e jona duhet të jetë kushtimi i zemrave tona Zemrës së Tij.
Me këtë rast po sjellim shkurtimisht disa fakte që lidhen me këtë festë të madhe për mbarë Kishën: Devocioni ndaj Zemrës së Krishtit kryesisht shfaqet në shekullin e XII, edhe atë me Shën Bernardin. Por, mundë të thuhet se shenjat e para të kësaj përshpirtërie ndaj Zemrës së Krishtit i hasim në traditën e etërve të Kishës, kur lexojmë faqet e para te Shën Gjon Gojarti apo te Shën Augustini. Ata shkruajnë mbi gjoksin e shporruar të Shëlbuesit prej të cilit rrodhi gjak e ujë e që njëherit janë burimi i lindjes së Kishës dhe lulëzimit të sakramenteve. Ky devocion do të vazhdojë të përhapet gjatë mesjetës edhe përmes dëftimeve shenjtës Lutgardë (1246).
Kjo shenjtëreshë mistike e bashkësisë së Helftës, një ditë ftohet nga Shën Gjoni që bashkë me të të pushojnë mbi parzmën e Krishtit, dhe kjo e pyet shën Gjonin: “Përse nuk i’a ke zbuluar botës kënaqësinë që ke përjetuar i mbështetur në parzmën e tij në Darkën e mbrame”, ai i përgjigjet: “Misioni im i vetëm ishte që t’ua zbuloj njerëzve natyrën hyjnore të Fjalës së Mishëruar”.
Shën Gertruda dhe Shën Matilda me shkrimet e tyre do të bëhen instrumente në përhapjen e këtij dëftimi që do të pranohet mirë sidomos në Gjermani.
Kur flasim për festën e Zemrës së Krishtit, nuk mund e të mos e përmendim edhe Shën Margheriten Maria Alacoque, e cila ditën e festës së Shën Gjonit Ungjilltar, më 1673 përjeton një vizion. Derisa ishte duke adhuruar para të Shenjtërueshmit Sakrament asaj i duket Jezu Krishti i gjallë. Ajo vërenë se zemrën i’a rrethonte një flakë, ferrat e kurorëzonin atë ndërsa mbi zemër kishte një kryq. Kjo dukje do të ndodhë për dy vjet rresht, çdo të parën të premte të muajit, ndërsa më 1675, ditën e festës së Korpit të Krishtit, Krishti i dëftohet me gjoksin e hapur, dhe duke i’a treguar zemrën i thotë: “Qe kjo zemër që aq shumë i ka dashur njerëzit… Kam një etje të madhe të jem i dashur prej njerëzve sidomos në Sakramentin e Tejetshenjtë, por nuk po e gjej askënd, që sipas dëshirës sime do ta shuaj këtë etje”. Krishti kërkon prej saj që të themeloj devotshmërinë e nëntë të premteve të muajit, dhe i premton se ata që do ta nderojnë Zemrën e tij dhe kungohen gjatë këtyre të premteve, do të shpërblehen me dashurinë dhe bekimet e tija.
Më 1856, Papa Piu IX e shpall të obliguar këtë festë për mbarë Kishën, ndërsa më 1899, Papa Luani XIII publikon një enciklikë përmes së cilës gjithë botën i’a kushton Zemrës së Krishtit.
Zemra fizike është simbol i dashurisë. Edhe sipas ligjeve të natyrës njerëzore, të cilët feja dhe liturgjia jo vetëm se nuk i kanë kundërshtuar, përkundrazi, ato i kanë përdorur në simbolikën e tyre duke shprehur në mënyrë më të kuptueshme dashurinë e Krishtit ndaj njerëzve. Shën Toma i Akvinit thotë: “të imagjinosh se objektet nuk janë të nevojshme për të na ofruar te Zoti, është e barabartë me faktin: të harrojmë se jemi njerëz”. Edhe teologët thonë se Papa Piu XII, në Haurietis aquas e spjegon mirë motivin e devocionit ndaj Zemrës së Krishtit duke e identifikuar me dashurinë e Tij ndaj njerëzve. Prandaj, kur e adhurojmë Zemrën e Krishtit, ne e çmojmë pa masë dashurinë e tij ndaj nesh.
Ne nuk duhet të harrojmë se ajo Zemër edhe në aspektin fizik ka vuajtur për ne, me qëllim që të na shfajësoj prej mëkateve. Ai kërkon tash prej nesh që ti kushtohemi me gjithë vetveten sepse Zemra e tij pret përgjigjen tonë – dashurinë – zemrën tonë. Jezu Krisht, zemërbutë dhe i përvujtë. Bëj që zemra ime t’i përngjajë Zemrës sate.

 

ZEMRA E PAPËRLYER E ZOJËS
(E shtuna pas të dielës së II pas Rrëshajëve)

Zoja e Bekuar ka një rol të pazëvendësueshëm në historinë e shëlbimit tonë. Ajo duke qenë Nëna e Hyjit, ndërmjetëson vazhdimisht për ne, sepse dëshira e saj e flaktë është që secili prej nesh, për të cilët vdiq dhe u ngjallë Biri i saj Jezu Krishti, të rrugëtoj drejt rrugës së shëlbimit të amshuar. Të gjitha festat e saja na nxisin edhe më tepër që t’i përngjajmë jetës së saj. Prandaj, asaj duhet t’ia dhurojmë gjithë vetveten, trupin me gjitha ndjenjat dhe gjymtyrët e tij, shpirtin me gjithë fuqinë e tij, të mirat tona materiale e shpirtërore sepse ajo, si Nënë e mëshirshme do të na mbajë afër Zemrës së vet dhe Zemrës së Jezu Krishtit. Zemra e pastër e saj, është fuqia dhe frymëzimi i të gjithë neve që të rritemi në virtyte. Kur flasim për Zemrën e Zojës, njëjtë sikur për Zemrën e Birit të Saj, flasim për kujdesin, dashurinë, amësinë e saj shpirtërore ndaj nesh. Duhet t’i kushtohemi asaj në mënyrë që jeta jonë të jetë shërbim. Shërbim ndaj Zotit dhe të afërmit. Në këtë kontekst do të mundë t’i kuptojmë edhe më mirë festat e saja, prandaj mos të ngurrojmë t’i lutemi dhe kushtohemi me një devotshmëri të madhe.
Festa e Zemrës së Papërlyer e Zojës e ka historinë e vet. Të ndjekësh historinë e lutjeve dhe falënderimeve të njerëzve për dashurinë e Zojës paralelisht do të duhej të ndjekej historia e literatures së krishterë. Në shekullin e XII për herë të parë në një libër të Shën Bernardit hasim në gjashtë tituj dhe privilegje për Zemrën e Papërlyer ndaj të cilëve janë shumë të devotshme Shën Matilda dhe Shën Gertruda. Së pari për arsye të dëftimit të Jezu Krishtit, për të cilin folëm në festën e Zemrës së Krishtit, dhe së dyti për arsye të një vizioni tjetër ku shihen tri vehtjet hyjnore duke zbritur mbi Zemrën e Marisë. Devocioni i njëjtë vërehet edhe të Shën Brigita në shekullin e XIV, dhe gjithnjë e më tepër në shekullin e XV te Shën Lorenc Justiniani dhe shën Bernardi i Sienës, ndërsa në shekullin XVI te shumë shenjtër dhe shkrimtarë të tjerë. Lulëzimi i vërtetë i devotshmërisë ndaj Zemrës së Zojës arrinë në shekullin e XVII me predikatarin e saj të madh, Shën Gjonin Gaudes. Duke filluar nga kjo epokë, gjithnjë e më shumë do të rritet devocioni ndaj Zemrës ës Zojës për të arritur deri te dëftimet e saja në Fatimë (Portugali) që do të jetë edhe një gurë i ri në vuarjen e themeleve të kësaj feste. Kështu arrihet në momentet më të vështira të epokës moderne, dhe Papa Piu XII, më 13 tetor 1942 ia kushton mbarë botën Zemrës së Papërlyer të Zojës. Ky kushtim do të përtërihet solemnisht me 8 dhjetor në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe do të përsëritet gati në të gjitha dioçezat e botës. Festa e Zemrës së Papërlyer të Zojës së Bekuar shpallet festë për mbarë Kishën Katolike në maj të vitit 1944, me dekretin e Kongregatës për Rite shenjte (AAS 28 shkurt 1945).
Festat e Zojës janë një rast i mirë që të mësojmë nga jeta e saj në mënyrë që të bëhemi të pëlqyeshëm për mëshirën e Zotit. Mbajtja e devocioneve ndaj Zemrës së Papërlyer, ndër tjera, karakterizohet me lutjen e përditshme të Rruzarës shenjte, lutjet dhe kushtimi të shtunën e parë të muajit (një ngjajshmëri me të parat premte kushtuar Zemrës së Krishtit), dhe shumë devocione tjera. O Zojë, Nënë e Papërlyer – lutu për ne!

Don Agim QERKINI

ShpërndajeShare on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someonePrint this page