Menu Schließen

JAVA E XIV GJATË VITIT- A

Leximi i parë (Zak 9, 9-10)
Ja, mbreti yt po vjen te ti, i përvuajtur.

Lexim prej Librit të Zakarisë profet
Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit, galdo, Bija e Jerusalemit! ja, mbreti yt, po vjen te ti: është i drejtë e Shpëtimtar, por i përvuajtur e në shpinë të gomarit, në shpinë të gaçit, zogut të gomarit! Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën, kalin nga Jerusalemi. Do të copëtohet harku i luftës. Kombeve do t’u shpallë paqen. Sundimi i tij prej detit në det prej Lumit në skajet e tokës! Fjala e Zotit

 


Psalmi 145 ( 144)

Ref. I bekuar je ti, o Zot, mbret i përvuajtur i lavdisë.

DO të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës,
çdo ditë do të të bekoj
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.
_______________________

Zoti është vetë butësia e mëshira
I ngadalshëm ne zemërim dhe plot dashuri
Zoti është i mirë për të gjithë
I dhimbsshëm për të gjitha krijesat e veta.
________________________

Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua
E le të bekojnë shenjtërit e tu
Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd

 


Leximi i dytë (Rom 8, 9. 11-13)

Po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirtit i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij.  Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni sipas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni. Fjala e Zotit

 


Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotëruesi i qiellit e i dheut, që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretëisë qiellore.
Aleluja!

 


Ungjilli ( Mt 11, 25-30)

Unë jam zemër butë e i përvujtë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: “Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,  që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët, e ua zbulove të vegjëlve. Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!  Ati më dorëzoi mua gjithçka dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,  dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.  Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.” Fjala e Zotit