Menu Schließen

JAVA E XXIV GJATË VITIT – A

Leximi i parë ( Sir 27,27-28,7 )
Falia padrejtësisht të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen

Lexim prej Librit të Siracidit
Kush e zbaton synimin e mbrapshtë, mbi të ai kthehet e nuk e di se nga i ka ardhur. Përqeshja e poshtërimi s´i ndahen krenarit dhe hakmarrja i rri në prit si luani.Në lak do të bien ata që i gëzohen rënies së të drejtëve, para se të vdesin, dhimbat do t´i shkrijnë. Hidhërimi dhe urrejtja njënjë janë të urrejtshme, te dyja në zemër i ndryen mëkatari. Kush do të hakmerret, do të gjej hakmarrje prej Zotit e mëkatet e tija gjithmonë i ruan para sysh. Falia padrejtësinë të afërmit tënd e, kur të lutesh, mëkatet e tua do të falen. Njeriu që mban hidhërim kundër njeriut si mund të kërkoj prej Hyjit shërim?! S´ka mëshirë për njeriun, të ngjashmin e vet, e këndej lutet t´i falen mëkatet e tija ?! Ai, vdekatar, mban në zemër hidhërim, e lyp që Hyji të jetë me të i dhimbshëm?! Kush do të lutet për fajet e tija?! Le të bjerë në mend mbarimi yt e pusho të urresh; kujto shkatërrimin e vdekjen dhe mbaj urdhërimet. Fjala e Zotit

 

Psalmi 103 (102)
Ref. Zoti është i mirë e i madh në dashuri.
_________________________
Bekoje shpirti im Zotin,
Dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje , shpirti im Zotin,
E mos i harro bamirësit e tija.
__________________________
Ai i fal të gjitha fajësit e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
Ai të kurorëzon me mirësi e dashuri.
_____________________________
Sepse mirë e di si jemi të përbërë,
s´e harron se ne jemi pluhur.
Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona
As nuk na shpaguan sipas të këqijave tona.
___________________________
Sepse sa është lartësia e qiellit mbi tokë,
Aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që i druajnë,
Aq larg i tret prej nesh fajet tona.
_________________________________

 

Leximi i dytë (Rom 14, 7-9)
Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim, jemi të Zotit.
Vëllezër, në të vërtetë, asnjëri prej nesh nuk jeton për vete dhe asnjëri nuk vdes për vete. E njëmend, nëse jetojmë, jetojmë për Zotin, e nëse vdesim, vdesim për Zotin. Në qoftë se jetojmë e në qoftë se vdesim jemi të Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq dhe u ngjall që të jetë Zotëria i të vdekurve e i të gjallëve. Fjala e Zotit.

Aleluja!
Po ju jap një urdhër të ri, thotë Zoti: duani njëri tjetrin, sikurse unë ju desha juve.
Aleluja!

 

❖ Ungjilli ( Mt 18, 21- 35)
Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!
Në atë kohë, Pjetri iu afrua dhe e pyeti: “ Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?” Jezusi i përgjigji:“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë! Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. Kur filloi të bëjë llogari, ia sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ Edhe zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin. Porse, shi ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të vet, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti për fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ Atëherë i ra ndër këmbë shoku i tij dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ Por ai nuk deshi dhe shkoi e e shtiu në burg derisa të kthente detyrimin. Kur shërbëtorët e tjerë shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ngjau. Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthejë tërë detyrimin. Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.” Fjala e Zotit