Menu Schließen

MOTRAT

Motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore

 

Themelimi i Kongregatës

motrat

Kongregata e motrave Bijat e dashurisë Hyjnore, u themelua nga Nënë Franziska Lechner, më 21. 11. 1868, në Vjenë, Austri. Franziska Lechner, pas një kërkimi të gjatë e të mundimshëm për ta zbuluar dhe zbatuar vullnetin e Hyjit, Shpëtimtarit dhe projektuesit të veprës së saj, e themeloi Kongregatën e vet, të cilës edhe ia dha emrin, Bijat e Dashurisë Hyjnore.

Franziska në fund të tetorit të vitit 1868, arriti në Vjenë. Mendimi, dëshira për të ndihmuar dhe për të bërë mirë dhe për të shpëtuar shpirtrat, ishte pjesë e jetës së përditshme. E dinte dhe e kishte parë se shumë vajza të reja prej fshatrave dëshironin dhe kishin nevojë për punë dhe atë mund ta gjenin në qytete të mëdha, por aty ato nuk kishin mbrojtje, nuk ishin të sigurta, nuk kishin ku të strehoheshin dhe u mungonin shumë gjëra elementare, kështu që jeta e tyre ishte në rrezik, si nga ana morale, ashtu edhe nga ana fizike dhe ekonomike. Pra, qëllimi i Franziskës ishte t’u ndihmonte këtyre vajzave, sidomos në periudhën deri sa ato të sistemoheshin dhe orientoheshin për jetë, t’u gjente punë, strehim dhe siguri për jetën e tyre. Në fund Franziska vendos të themelojë një institut për vajza të tilla në Vjenë. Me themelimin e institutit mendonte se jo vetëm që do të mund t’u ndihmonte dhe t’i mbronte këto vajza që ishin në rrezik për jetën, por do t’u jepte edhe mësim, që ato të arrinin të kenë edhe një profesion të duhur, t’u ndihmonte të gjenin punë e t’i rekomandonte tek punëdhënës të mirë, por mbi gjithçka t’i mësonte mbi të vërtetat e fesë, mbi dashurinë e Hyjit, vlerat dhe parimet e krishtera, në mënyre që ta drejtonin jetën e tyre kah e mira. Në këtë mënyrë ajo mendonte të sillte sadopak bekim dhe lumturi në shoqëri.

Përveç ndihmës që mendonte t’u jepte këtyre vajzave në nevojë, qëllimi tjetër i Franziskës ishte t’u ndihmonte fëmijëve të lënë pas dore, pa prindër, dhe atyre fëmijëve që kishin nevojë për mbrojte dhe kujdes, edukim dhe arsimim. Dëshira e saj ishte që fëmijëve t’u jepte dashurinë e munguar, kështu që këta të mund të rriten e të bëhen pjesë e dobishme e shoqërisë. Fëmijët që rrethohen me kujdes, dashuri, edukim fetar, në të ardhmen do të jenë edhe të krishterë të mirë, mendonte ajo. Shpirti i saj fisnik ishte i mbushur për t’u bërë të mira të tjerëve, kështu që ajo nuk kënaqej vetëm me pak, por dëshironte gjithnjë e më shumë. Për të bërë të gjitha këto, i ndihmonte feja, besimi i madh në Atë që e frymëzonte dhe e kishte thirrur të bënte atë çfarë Atij do t’i pëlqente. Për shkak të asaj feje të madhe, Franziska mundi t’i përballonte vështirësitë e jetës dhe nuk u ndal derisa ia arriti qëllimit dhe derisa u bind se pikërisht kjo ishte ajo çfarë Zoti kërkonte prej saj. Pra, përveç asaj që përmendëm më lart, ajo mendonte të hapte institute edukative dhe shkolla për vajza të reja, për fëmijë të lënë dhe për shërbyese. Këto qëllime dhe dëshira të mëdha të Franziskës, jo vetëm se do të ishin qendra edukative, arsimore, por edhe qendra të jetës fetare. Përmes këtyre veprave e shohim qartë se ajo e ka njohur mirë realitetin dhe nevojat e kohës në shoqërinë e atëhershme. Prandaj atë nuk mundën ta ndalonin kryqet, pengesat, vështirësitë të cilat i kishte përjetuar gjatë udhëtimit, derisa arriti tek qëllimi i saj.

 

 

Aktualizimi i karizmës së nënë Franciska Lechner në realitetin e sotëm

Duke patur parasysh qëllimin e Themelueses për këtë Kongregatë dhe realitetin e sotëm, mund të themi se karizma jonë  përputhet plotësisht me nevojat e Kishës dhe shoqërisë në të cilën jetojmë. Ajo dëshironte që ne si Bija të Dashurisë Hyjnore, këtë dashuri që e marrim nga Zoti-Trini, burim i pashtershëm dashurie, tu dhurojmë të tjerëve. E kjo vihet në veprim me anë të mjeteve të ndryshme, veprimtarive dhe aktiviteteve. Pra, këtë edhe ne e aktualizojmë me apostullatin tonë shoqërorë, edukativ dhe baritorë, sipas nevojave të Kishës e shoqërisë sonë shqiptare, e cila ka nevojë për nxitje dhe shpresë. Ne, si Bija të Dashurisë Hyjnore që veprojmë në Kosovë, Shqipëri dhe Zvicër, në çdo veprimtari që bëjmë mundohemi që si Themeluesja jonë ta bëjmë të dukshme dashurinë e Zotit në tokë“.

Aktualisht Kongregata jonë vepron në 19 shtete në mbarë botën.

 

 

 

Prania e motrave Bijat e Dashurisë Hyjnore në trojet shqiptare

Kosovë:

Veprimtaria e motrave tona ndër shqiptarë ka filluar në vitin 1961 në Kosovë, ku tani për tani kemi tri bashkësi: në Binçë, Ferizaj dhe Doblibare. Më herët motrat kanë jetuar edhe në Dunav, një zonë malore në zonën e Karadakut, po ashtu edhe në famullinë e Gllaviçicës. Në Kosovë motrat tona punojnë në fushën e mësimit të fesë, përgatitje liturgjike, kopshte për fëmijë, vizita nëpër familje, vizita tek të vetmuarit dhe të sëmurët, etj. Për tu theksuar është se motrat tona që nga viti 1969 e deri me sot vazhdojnë punën e tyre në ambulancë në Binçë, ku për shumë vite ajo ambulancë ka qenë e vetmja për atë zonë, ku të gjithë të krishterë e myslimanë pa dallim kanë marrë shërbimet mjekësore prej motrave, pa asnjë dallim dhe falas.

 

Shqipëri:

Pas rënies së komunizmit dhe ardhjes së lirisë së fesë në Shqipëri, motrat Bijat e Dashurisë Hyjnore u treguan të gatshme për të shkuar në Shqipëri pa marrë para sysh vështirësitë ekonomike dhe boshllëkun shpirtërore që po përjetojnë Shqipëria. Në vitin 1992 shkuan 4 motrat e para dhe hapën një shtëpi në Laç të Kurbinit, e më pas me sipas nevojave u përhapën në Shkodër, në Grudë e Re, në Tiranë. Punës dhe përkushtimit të tyre iu bashkangjiten edhe shumë vajza të tjera nga Kosova dhe Shqipëria dhe sot janë bërë një numër i konsiderueshëm motrash të cilat qojnë përpara porosinë e Themelueses së tyre, Franziska Lechner.

 

 

 

Ardhja dhe puna e motrave në Zvicër

Veprimtaria e motrave Bijat e dashurisë Hyjnore, u përhap edhe ndër shqiptarët që ndodhen jashtë vendit, si në Zvicër. Motrat e para kanë shkuar në Zvicër më, 04 tetor të vitit 2001 dhe u vendosën me banim në Luzern. Duke parë nevojat e mëdha dhe shtrirjet e gjera gjeografike nga njëri vend në tjetrin, lindi nevoja për hapjen edhe të një shtëpie tjetër, dhe kjo u realizuar në vitin 2003 me themelimin e misionit të ri në Sirnach (TG). Motrat në të dy misionet zhvillojnë aktivitete të ndryshme. Ato merren kryesisht me katekizëm, animim liturgjik, apostullat, takime të rregullta me gra, vajza, përgatitjen e ministrantëve, e punë tjera që kërkon Kisha e veprimtaria ungjillëzuese. Mund të themi padyshim se prania e motrave në Misione, është një mbështetje e madhe morale dhe shpirtërore. Ato me shërbimin e tyre mundohen vazhdimisht  që “Dashurinë e Zotit të padukshëm t’a bëjnë të dukshme”.