menu close menu

Krezmimi

Në krezmim (përforcim) i krishteri merr Shpirtin Shenjt, sikurse e morën Apostujt ditën e Rrëshajëve. Ata ishin përpara frikacakë, por mbasi morën plotësinë e Shpirtit që Krishti ua kishte premtuar, u bërën dëshmitarë dhe përhapësit guximtarë të mësimeve ungjillore.

Shpirti Shenjt edhe ne na forcon, që fenë tonë ta pranojmë me qëndrueshmëri para njerëzve dhe për të edhe të luftojmë. Krezmimi shenjtë na ndihmon që të jemi dëshmitarë dhe apostuj të Krishtit në familjen tonë, në thirrjen tonë si edhe në jetën tonë.

Me krezmim i pagëzuari fiton:

 1.    shumëzimin e hirit shenjtërues;

 2.    fuqinë për të jetuar si i krishterë i vërtetë dhe për të dëshmuar parimet ungjillore;

 3.    begatin e dhuratave të Shpirtit Shenjt;

 4.    shenjën e pashlyeshme në shpirt, me të cilën Krishti na shënjon si luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij në mbretërinë hyjnore.

Rëndomtë krezmon ipeshkvi, por gjithashtu edhe meshtari, i cili ka leje të posaçme për mbarështimin e këtij sakramenti. Pos lutjeve tjera që thuhen me rastin e ndarjes të këtij sakramenti, fjalët kryesore që përdoren, ndërsa lyhet balli me vaj të shenjtë, janë: “E… (Emri) prano vulën e dhuratës së Shpirtit Shenjt!”

Për këtë sakrament lypset një përgatitje e zellshme në mësim-besim, përcjellë me uratë, rrëfim paraprak, si edhe kungimi i shenjtë. Edhe në krezmim lypset kumbara ose ndrikulla, të cilët mbajnë dorën e djathtë mbi krah të djathtë të kandidatit, ndërsa ipeshkvi lyen ballin e atij që krezmohet me vaj shenjtë. Kumbara ka për detyrë që me fjalë, dhe me tepër me jetë të vet të nxisë famullin që të jeton me një jetë vërtet të krishterë.