Menu Schließen

Urdhëri i shenjtë

Krishti është i vetmi ndërmjetësi ynë te Zoti, sepse Ai vetëm ia paraqiti Hyjit flinë e denjë madhërisë së tij, dhe me atë fli u fitoi njerëzve jetën me hire. Jezu Krishti vazhdon në Kishën shenjtë detyrën e vet meshtarake duke paraqitur Atit të amshueshëm flinë e Korpit dhe të Gjakut të vet në meshën e shenjtë dhe duke ndarë, me anë të sakramenteve, jetën e hireve.Në këtë veprimtari Ai shërbehet me njerëz si me ndihmës të vet, të cilëve u jep pushtetin e vet mbi sakramente, si edhe mbi gjymtyrët e Korpit të tij mistik,dmth. besimtarët. Këtë pushtet u jep Krishti njerëzve nëpërmjet Urdhrit të shenjtë. Gjatë jetës së vet tokësore Krishti ka mbledhur rreth vetes apostujt dhe shumë nxënës. Duke ditur se së shpejti ka për të lënë këtë botë,deshi të përgatisë ata, të cilët pas tij kanë për të vazhduar misionin e filluar.

Meshtarët e parë i ka shuguruar vetë Krishti, kur në darkën e fundit u dha pushtetin apostujve, që të shndërrojnë bukën në Korp dhe verën në Gjak të tij. Ditën e të ngjallurit u ka dhënë pushtetin që të mund të falin mëkatet atyre që pendohen, kurse ditën e Shëlbuemit, para se të ngjitej në qiell, u urdhëroi që të shkojnë në tërë botën dhe të predikojnë Ungjillin të gjithë njerëzve, të ndajnë sakramentet dhe të udhëheqin Kishën deri në mbarim të botës.

Në këtë mënyrë Krishti ua ndau apostujve sakramentin e Urdhrit të shenjtë. Shëlbuesi u dha pushtet t’ua dorëzojnë edhe atyre, që këta do të zgjidhnin për këtë detyrë. Kështu, pra, dorë pas dore, ky sakrament ka arritur deri në ditët tona. Shkrimi Shenjt na tregon si kanë vepruar apostujt në këtë pikëpamje në Kishën e parë:

Me anën e këtij sakramenti (presbiteratit) meshtari ka të drejtë:

Të predikojë, ose të mësojë njerëzit atë, çka Hyji na ka zbuluar;

Të paraqesë Hyjit flinë e meshës së shenjtë;

Të falë mëkatet në emër të Zotit dhe të ndajë sakramentet;

Të bekojë dhe të shugurojë.

Urdhri i shenjtë ka disa shkallë: diakonatin, presbiteratin dhe episkopatin, që është plotësia e këtij sakramenti. Edhe ky sakrament len në shpirtin e meshtarit një shenjtë të pashlyeshme. Në saje të kësaj shenje, meshtari është shënuar si meshtar i Krishtit. Edhe më tepër: meshtari bëhet instrument (mjet) në duart e Krishtit. Meshtari meshon, por Krishti është Meshtari kryesor; meshtari ndan sakramentet, por Krishti është ndarësi dhe hirëdhënësi kryesor. Meshtaria është një dhuratë e mirësisë hyjnore kundrejt njerëzve. Nuk është thirrur çdokush në këtë shërbim të shenjtë. Sikurse motit, kur Krishti zgjodhi dymbëdhjetë apostujt prej shumë ndjekësve, njashtu edhe sot, në një mënyrë të posaçme, thërret dhe zgjedhë meshtarët. Kush dëshiron të ndjekë këtë rrugë, lypset të ketë një fe të gjallë dhe të vërtetë, të jetë i përshpirtshëm dhe i gatshëm që të vuajë shumë për shëlbimin e shpirtrave dhe për nderë të Hyjit. Kush mendon se është i thirrur në këtë rrugë, duhet të vazhdojë pa pasur frikë prej vështirësive të ardhshme. Zoti s’harron askënd!

Është një nder e madhe për atë familje ose famulli, prej kah del një meshtar. Prandaj, prindërit si edhe besimtarët tjerë le të luten për thirrje meshtarake dhe rregulltare, dhe me një shembull të një jetë të mirë, t’u prijnë të rinjve kah lteri. Me ndihma zemërgjera t’u mundësojnë që një ditë të arrijnë te caku i dëshiruar që kanë zgjedhur, duke pasur ndër mend fjalët e Krishtit: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra, Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta”.