menu close menu

Kungimi

Çdo hir që na jep Shëlbuesi nëpërmjet sakramenteve, buron prej flisë së tij, bërë mbi kryq për ne. Prandaj thuhet se ky sakrament është më i madhi ndër të gjithë të tjerët, dhe kah ky, sakramentet tjera. Ndërsa në sakramentet tjera fitojmë hiret dhe fuqinë e Zotit, në kungim ne marrim vetë Zotin, gurrën e çdo hirit dhe të shenjtërisë.

Krishti ka thënë: „Nëse nuk e hani Korpin e Birit të njeriut e nuk e pini Gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me Korpin tim dhe pinë Gjakun tim ka jetën e pasosur.“ Nëse pra dëshirojmë t`a ruajmë në shpirtin tonë jetën shpirtërore që dikur kemi marrë në pagëzim, dhe nëse dëshirojmë një ditë të jetojmë me jetë të pasosur, lypset të ushqehemi me Korpin dhe me Gjakun e Krishtit.

 Shëlbuesi s`ka mundur të na bëjë ndonjë dhuratë më të madhe se Eukaristinë. Në këtë mënyrë na e la vetveten që t`a marrim në zemër, me të të bashkohemi dhe kështu të sigurojmë edhe jetën e amshuar. Kungimi na e shumëzon hirin shenjtërues, na pastron prej mëkateve të lehta, pakëson në ne prirjet e këqija, na mbushë me fuqi të re, që të jetojmë porsi bij të Hyjit. Për të marrë Krishtin në zemër denjësisht, lypset të jemi të pastër në shpirt ose të kemi hirin e Zotit, dmth. pa mëkat të rëndë në shpirt, por edhe të kemi qëllimin e drejtë.

Kungimi është një pjesë përbërëse e meshës, dhe prandaj është me vend të kungohemi brenda meshës së shenjtë. Sa më shpesh merre Krishtin në zemër në kungim shenjtë. Çdo herë përgatitu për këtë sakrament të madhërishëm, që ta marrësh me zemër të pastër, me fe të gjallë, me shpresë dhe me dashuri të flaktë.

Lutja para kungimit

O Zot, Jezu Krisht,që u ke thënë apostujve të tu: po ju lë paqen, po ju jap paqen time, mos i shiko mëkatet e mia por fenë e Kishës sate: jepi asaj, sipas vullnesës sate, paqe dhe bashkim.

O Zot, Jezu Krisht, Bir i Hyjit të gjallë, që për vullnet të Atit, me bashkëpunim të Shpirtit Shenjt ke gjallëruar botën me vdekjen tënde: më liro për këtë Korp e Gjak tëndin prej të gjitha mbrapshtive dhe të këqijave, dhe bën që unë të jem gjithherë besnik urdhërimeve të tua dhe që të mos ndahem kurrë prej teje.

O Zot, Jezu Krisht, marrja e Korpit tënd, që unë i padenjë po guxoj ta marr, mos të dalë për bjerrje dhe dënim, por për mëshirën tënde, të më vijë mbrojtje të trupit dhe shpirtit, si edhe për shërim prej çdo mëkatit.

Falënderimi pas Kungimit

Pasi të jesh kunguar, mos dil menjëherë prej kishe. Ndalu e mendo pak mbi dashurinë e atij që ka ardhur në zemrën tënde. Ripërtërij vendimet e mira tuat. Lyp prej Krishtit çka ke më nevojë.

Pasi të kalojnë disa çaste, thuaj me përkushtim:

Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua, Korpi i Krishtit, më shëlbo mua, Gjaku i Krishtit, deh më ngijë mua, uji i kraharorit të Krishtit, më pastro mua, mundimi i Krishtit, më forco mua, o i ëmbli Jezus, më dëgjo mua, ndër varrë të tua më fsheh mua, mos lejo të ndahem prej teje, prej armikut shpirtit me del zot mua. Në fill të vdekjes sime ti më thirr mua, e më urdhëro të vij te ti, që me shenjtër të lëvdoj ty, për gjithmonë e motit të jetës. Amen