menu close menu

Vajimi

Porsi nënë e kujdesshme, Kisha përcjellë anëtarët e vet me dashuri që prej fillimit dhe deri ne mbarim: që nga lindja deri në vdekje. Për të krishterin që është sëmurë rëndë, Krishti ka themeluar sakramentin e vajimit. Ky i jep të sëmurit hirin e Zotit, që në kohën e ankthit të vdekjes mos ta mundë frika as tundimet, mos të luhatet në mendime dhe mos të dyshojë ne fe. Ky sakrament është një takim i Krishtit shëlbues me vëllain ose motrën që vuan në sëmundje. 
Vajimi nuk është një sakrament për ata që vdesin, por për të sëmurët. Prandaj, nuk duhet të na frikësoj aspak ky sakrament, si mjerisht dëgjohet shpesh herë edhe ndër të krishterët. Krishti e ka themeluar që të na jap hirin, fuqinë dhe lehtësinë në sëmundje, e shpesh herë edhe shërimin, nëse është për të mirën tonë shpirtërore. Për këtë sakrament shkruan Shën Jakobi: “Është ndokush ndër ju i sëmurë? Le t’i thërrasë udhëheqësit e Kishës! Ata le të luten mbi të duke i lyer me vaj në emër të Zotit dhe dhurata e fesë do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ripërtëritë e, në qoftë se ka bërë mëkate, do t’i falen”.

Ç’dobi ka i krishteri prej vajimit të shenjtë?

Vajimi i jep të sëmurit:

1. Një begati të hirit shenjtërues;

2. Faljen e mëkateve të lehta. Nëse për shkak të sëmundjes dhe të ligështisë së madhe nuk mundë të rrëfehet, i falen edhe mëkatet e rënda, për të cilat pendohet me gjithë zemër;

3. Fuqinë e ngushëllimit, që të mundë të durojë dhe të përballojë sëmundjen dhe të dëbojë të gjitha tundimet djallëzore;

4. Lehtësim kah trupi dhe shpesh herë ia kthen shëndetin.

Këtë sakrament duhet dhe mundë ta marrë çdo i krishterë që është sëmurë rëndë. Mund ta marrin edhe pleqtë e molisur, sepse edhe vet pleqëria është një lloj sëmundje. Gjithashtu mund t’u jepet edhe fëmijëve të sëmurë, të cilët ende nuk janë rrëfyer dhe kunguar, mjaft që të kuptojnë se ky sakrament është një përforcim shpirtëror. Por, nuk duhet të presim çastin e fundit për marrjen e këtij sakramenti, sepse vendin e ka në fillim të sëmundjes, e jo “në fund”. Për më tepër, anëtarët e familjes e kanë për detyrë, që të sëmurit t’ia thërrasin meshtarin me kohë. Kjo vlen sidomos për ata, të cilët i çojmë për shërim në spital.

Me këtë rast i sëmuri rrëfehet, kungohet dhe i jepet bekimi papnor si dhe ndjesa e plotë. Në dhomë ku gjendet i sëmuri lypset përgatitur: Një tavolinë që mbulohet me çarçaf të bardhë; mbi tavolinë vendoset kryqi, së paku një qiri, uji i bekuar…, një rizë që meshtari të mundë të fshijë duart. Anëtarët e familjes, si edhe të pranishmit, përcjellin ndarjen e këtij sakramenti me lutje, përgjigje që bëjnë me të sëmurin ose në emër të tij, që ky sa më frytshëm të marrë këtë sakrament të shenjtë.