Menu Schließen

Shtegtimi në Lourdes

13-17. 05. Tashmë është bërë traditë e bukur e Misioneve Katolike Shqiptare në Europë që një herë në vit, pikërisht me rastin e festës së Shëlbuemit të shtegtojmë drejt Shejntërores së Zojës në Lurd. Kështu, edhe këtë vit, me 13-17 maj, me mbi 600 besimtarë nga Misionet tona shtegtuam për të takuar Nënën Qiellore, Zojën e Papërlyer. Kjo traditë ka filluar në vitin 2001, dhe vazhdon çdo vit. Në këtë vend të shenjtë, kanë shtegtuar meshtarët tanë dhe motrat bashkë me besimtarë edhe më herët. Sivjet, bashkë me besimtarët e misioneve tona, ishin edhe Don Anton Kqira, Don Prekë Lazri, Don Kristë Gjergji, disa motra të nderit dhe besimtarë nga Kosova.

Nga Misioni ynë, pas bekimit të shtegtarëve (154 besimtarë) u bë nisja me dy autobus nga dy pika të caktuara. Gjatë udhëtimit rreth 14 orësh, me autobus, na ka shoqëruar lutja, kënga, gëzimi i të qenurit bashkë. Në Lurd kemi arritur rreth mesditës, në festën e të Ngriturit të Krishtit në Qiell. Në mbrëmje, të gjithë shtegtarët  e Misioneve Luzern, Sirnach, Aarau, Stuttgart- e shtegtarë të tjerë që kishin ardhur me makina private, morën pjesë në Meshën e Shenjtë e kremtuar nga Don Pren Kola, misionar Aarau-t.  Pas meshe dhe darke në hotelet e caktuara shumica e shtegtarëve ndoqën në mënyre personale procesionin tradicional, i cili çdo mbrëmje mbahet para bazilikës. Të tjerë shkuan të luteshin tek shpella e Zojës. Më pas, një numër i madh besimtarësh pavarësisht shiut që nuk ndalej, u gjetën para shpellës në Adhurimin e të Shejntërueshmit Sakrament në orën 23. Të nesërmen, pas fotogramit të përbashkët para Bazilikës së Zojës Rruzare, vizituam vendin ku ka lindur e jetuar Shën Bernadeta dhe familja e saj. Kemi vizituar edhe kishën ne të cilën ajo ka qenë pagëzuar, e me atë rast, edhe ne kemi bërë përtëritjen e premtimeve të pagëzimit, duke e mbyllur këtë varg vizitash me lutje dhe këngë të Zojës. Pas dreke, u takuam së bashku në Bazilikën e Zojës së Papërlyer për t’u bashkuar në tryezën e Zotit, në kremtimin Eukaristik. Meshën e udhëhoqi Don Agim Qerkini misionar i Luzernit. Pas Meshe, së bashku kemi rikujtuar mundimet e Jezusit gjatë përshkimit të Udhës së Kryqit. Pas darke, të gjithë së bashku, kemi marrë pjesë në procesionin e mbrëmjes. Në këtë procesion marrin pjesë mijëra besimtarë nga e gjithë bota, dhe me qirinj në dorë i luten Nënës qiellore, jo vetëm për atë që kanë në zemër por edhe për nevojat e Kishës dhe botës mbarë. Grupet tona, u përfaqësuan me grupin e këndimit, duke bërë që në shesh të këndohej, por edhe të lutej: ‘Të falemi Mari…’  në gjuhën shqipe.

Duhet thënë se, përveç besimtarëve që shtegtojnë nga e gjithë bota, aty  shtegtojnë çdo vit edhe ushtarë nga shumë vende të ndryshme. Këtë vit, patëm fatin që në të njëjtën kohë të shtegtojmë në Lurd, dhe aty pamë aq shumë ushtarë të bashkuar në shtegtim te Zoja. Ishin rreth 12 mijë ushtarë nga 36 shtete të botës. Aty kanë meshë e procesione, pagëzime e krezmime të ushtarëve, sidomos luteshin për ushtarët e sëmurë, të plagosur e të rënë në luftëra.

Të shtunën, para përmbylljes së shtegtimit, Misioni ynë dhe ai i Stuttgart-it, në emër të shtegtarëve, kemi kuhtuar nga një qiri të madh (këtë vit 24 kg). Pas bekimit të qirinjve dhe lutjes së rruzares, në procesion i kemi vendosur në vendet e caktuara. Ne e lëmë Lurdin por qirinjtë do vazhdonin të digjen, si shenjë e njeteve të cilat ne i paraqesim. Këtë herë, shtegtimin e përmbyllëm me meshën e shenjtë, të cilën e kremtuam po ashtu në Bazilikën e Zojës. Meshën e udhëhoqi Don Prekë Lazraj, drejtor i Radio Marisë në Shqipëri. Edhe gjatë kthimit, klima familjare dhe hareja nuk mungon, mbi të gjitha diskutimet mbi përshtypjet për të cilat të gjithë e thonë se janë të pa harruara.