Menu Schließen

Shtegtimi ynë në Romë – Nga Nënë Tereza te Nëna e Hyjit  

Me 2-5 shtator, Misioni Katolik Shqiptar në Luzern shtegtoj ne Romë me rastin e shenjtërimit të saj. Në këtë shtegtim nga Misioni ynë morën pjesë 120 besimtarë, me ne ishte edhe sakristani i famullisë së Shën Mihillit Kurt Bircher, ndërsa ka patur edhe shumë besimtarë të tjerë që kanë udhëtuar me mjete private. Shkuam për ta takuar në Romë, tani lutemi që ta takojmë tek njerëzit në nevojë dhe t’i ndihmojmë ata me zemrën e saj.

Ditën e shtunë para shenjtërimit, nën udhëheqjen e ish gardistit zvicran Martin Utz, vizituam shumë vende e monumente të rëndësishme nga koha romake, por edhe Bazilika dhe vende të shenjta që na flasin për kishën e hershme e deri më sot. Ditën e kaluam në Qytetin e amshuar ndërsa në mbrëmje, në Bazilikën e Shën Palit, morëm pjesë në koncertin klasik të filarmonisë së Kosovës, i organizuar enkas për këtë ngjarje të veçantë për popullin tonë.

Ndër shumë artistë tjerë përformuan me këngë sopranot e mirënjohura Inva Mula dhe Ermonela Jaho, pastaj këngëtarja Rita Ora interpretoi këngën “What Child is this”, në përcjellje të violinistit të njohur Shkëlzen Doli.

Ditën e dielë, me shumë shtegtarë nga e gjithë bota, u bashkuam në lutje dhe gëzim me ata që ju shërbeu Nënë Tereza, me të varfrit dhe të sëmurët, me të gjithë ata që ishin arsyeja dhe kuptimi i jetës së Saj të shenjtë. Vetë fjala Nënë është e shenjtë. Prandaj, nëse do ta quajmë Shën Nënë Tereza, apo Shën Tereza e Kalkutës nuk ka rëndësi të madhe.

Kështu, herët në mëngjes, një numër i madh i shtegtarëve i ishte drejtuar sheshit të Shën Pjetrit për të marrë pjesë në meshën e shenjtërimit të Nënës Terezë. Edhe ne u bashkuam me shumë shqiptarë të tjerë të ardhur nga Kosova, Shqipëria dhe nga shumë vende të ndryshme të botës.

Pasditen e së dielës e kaluam në qytezën e Genazzano-s rreth 50 km nga Roma. Me këtë qytezë të vogël, shqiptarët janë të lidhur që prej  më shumë se 500 vjetësh, që prej vitit 1467. Sipas një legjende, afresku që paraqet Zojën e Këshillit të Mirë me Krishtin në dorë, për t’i shpëtuar shkatërrimit nga pushtimet turke, qe shkëputur nga muri i Kishës në Shkodër dhe duke kaluar detin Adriatik shkon dhe vendoset në Genazzano. Që atëherë shqiptarët shtegtojnë në Genazzano. Misioni ynë në Luzern, Zojën e Këshillit të Mirë e ka për pajtore të veten, prandaj gëzimi i vizitës në këtë shenjtërore ishte i dyfishtë për të gjithë ne.

Shumë Papë e kanë vizituar këtë shenjtërore. Ndër ta është për tu veçuar Vizita e Papës Gjon Palit të II, i cili shkoi në Genazzano më 22 prill 1993, tre ditë para se të nisej për vizitë në Shqipëri. Me këtë rast ai e pati rikthyer në Shkodër kopjen e figurës së Zojës. Ky ishte një gjest i tij për të nderuar me admirim qëndresën dhe flijimet e shumta për Fe e Atdhe të klerikëve dhe shumë laikëve të martirizuar në Shqipëri.

Edhe Nënë Tereza, si shumë shqiptarë të tjerë, ka shkuar disa herë në Shenjtëroren e ashtu quajtur “të shqiptarëve” në Genazzano. Vizita e saj e fundit në këtë Shenjtërore ishte më 10 qershor 1993. Pas kësaj vizite mbresëlënëse, u kthyem në Romë, ndërsa të hënën, morëm pjesë në meshën e falënderimit në Sheshin e Shën Pjetrit. Këtë meshë e udhëhoqi Eminenca e tij, Pietro Parolin.

Në fund, është për tu veçuar edhe një datë e rëndësishme për popullin tonë. Një tjetër gëzim i madh për ne dhe për Kishën universale. Dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës, më 5 Nëntor në Shkodër do të kanonizohen 38 martirë të regjimit komunist. Ceremonia do të drejtohet nga kardinali Angelo Amato. Dëshmitë e tyre qofshin për ne nxitje që ta jetojmë dhe shpallim fenë me guxim, në nder e lavd të Krishtit, për të cilin flijuan jetën e vet.

SONY DSC

genazzano