menu close menu

JAVA E KARTËT ARDHJES E DIELË – A

Leximi i parë (Is 7,10-14)
Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë.

Lexim prej librit të Isaisë profet
Në ato ditë, Zoti iu drejtua Akazit e i tha: „Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty qoftë në thellësinë e Nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.“Akazi përgjigji: „Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!“  Atëherë Isaia tha: „Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’u bëni mërzi njerëzve e tash doni ta mërzitni edhe Hyjin tim? Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për emër do ta quajë Emanuel!  Fjala e Zotit


Psalmi 24 (23)

Ref. Ja, po vjen  Zoti, Mbreti i Lavdisë

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
_______________________________
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër,
ai që nuk përbehet në rrenë.
_______________________________
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
____________________________
Lartësohuni, o dyer të amshueshme,
që të hyjë Mbreti i lavdisë!“
Kush është ky Mbreti i lavdisë?
Zoti i Ushtrive, ai vetë është Mbreti i lavdisë!“


Leximi i dytë (Rom 1, 1-7)

Jezu Krishti, pasardhës i Davidit, Biri i Hyjit.

Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit  të cilin Hyji e kishte premtuar qysh më parë me anë të profetëve të vet në Shkrimet e shenjta mbi Birin e vet, i cili është, për kah trupi, pasardhës i Davidit,por i dëftuar për Birin e Hyjit me të gjitha pushtetet me anë të Shpirtit Shenjt mbas ngjalljes prej të vdekurve, mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë. Nëpër të ne morëm hirin të jemi apostuj, që, në nder të Emrit të tij, t’i biem në dëgjesë të fesë të gjithë paganët, ndër të cilët jeni edhe ju të grishur prej Jezu Krishtit.Të gjithëve në Romë, të dashurve të Hyjit, të grishurve, shenjtërve:Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot. Fjala e Zotit


Aleluja!

Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për emër do ta quajë Emanuel!

Aleluja!

 


Ungjilli (Mt 1, 18-24)

Jezusi u lind prej Marisë, të fejuarës së Jozefit prej fisit të Davidit.

Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu: Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjet shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta lëshojë fshehtazi. Posa në mendje të vet vendosi të bëjë kështu, ja se, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: »Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija.« E gjithë kjo ngjau që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpër profetin: » Qe, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë, të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel – që do të thotë: Hyji me ne!« Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri sikurse i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.  Fjala e Zotit