menu close menu

Krishtlindje (25.12)

Leximi i parë (Is 52, 7-10)
Të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë.

Lexim prej librit të Isaisë profet
Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell lajmnin e mirë të paqes, që sjell lajm të mirë, që shpall shëlbimin që i thotë Sionit: `Zoti yt mbretëron!`Dëgjo! Rojet tua të madhe gërthasin, të gjithë së bashku lëshojnë zë hareje se me sytë e vet po shohin se po kthehet Zoti në Sion! Gëzohuni e galdoni së bashku, rrënjat e Jeruzalemit, sepse Zoti po e ngushllom popullin e vet, po e shpërblen Jeruzalemin! Sepse Zoti e shpërvoli krahun e evt të shenjtë para syve të mbarë popujve, të gjitha viset e tokës do ta shohin shpëtimin e Hyjit tonë. Fjala e Zotit

Psalmi 98 (97)
Ref. Mbarë toka e pa Shëlbimin e Zotit tonë.

Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
______________________
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet
kundrejt shtëpisë së Izraelit.
_______________________
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë toka le t’i brohorisë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
_______________________
Këndoni Zotit me harpë,
me tinguj veglash muzikore,
me trumbetë e me zë të pipëzës së bririt,
brohoritni para fytyrës së Zotit, Mbret!

Leximi i dytë (Heb 1, 1-6)
Hyji na foli edhe neve me anë të Birit.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Hyji që herë pas here dhe në mënyra të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve,së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha gjërave, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. Biri, që është shkëlqimi i Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë,§ pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenji në të djathtën e Madhërisë në qiell; u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin! Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjëherë: »Ti je im Bir unë sot të linda?« Dhe prapë: »Unë do t’i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir?« Dhe prapë, kur përsëri shtie Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë: »Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!« Fjala e Zotit

 

Aleluja!
Një ditë e shenjtë lindi për ne: ejani të gjithë ta adhurojmë Zotin; sot zbriti mbi tokë një dritë e shkëlqyeshme.

Aleluja!

 

Ungjilli (Gjn 1, 1-18 forma e shkurtër 1, 1-5.9-14)
Fjala u bë njeri e banoi ndër ne.

Leximi i ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë,  e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi. Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar,  për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita,  por ‑ për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri,  erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan  u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut por ‑ Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë. Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje!’“ Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm,  madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm ‑ që është Hyj, një natyre me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit