menu close menu

Nata e Krishtlindjes (24.12)

Leximi i parë (Is 9, 1-3.5-6)
Na u dhuruar një djalë.

Lexim prej librit të Isaisë profet
Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes, zbardhi për ta drita plot shkëlqim. Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë,  guzhmën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara. Sepse na lindi një foshnjë, fituam një djalë. Në krahun e tij u vu shenja e mbretërisë. Për emër do të quhet: Këshilltar i mrekullueshëm, Hyj i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes. E madhe do të jetë mbretëria e tij dhe paqja s’do të ketë mbarim  mbi fronin e Davidit e mbi mbretërinë e tij, që ai do ta forcojë e do ta bëjë të fuqishme në të drejtë e në drejtësi. Qy tash e për amshim do ta bëjë këtë dashuria e madhe e Zotit të Ushtrive.  Fjala e Zotit

 


Psalmi 96 (95)

Ref. Sot për ne lindi Shëlbuesi, Krishti Zot

Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Këndoni Zotit, bekojeni Emrin e tij.
_______________________
shpalleni si një ditë për ditë shpëtimin e tij!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
_______________________
Galdo, o qiell! Gëzo, o tokë!

Le të buçasë deti me ç’ka në të,
le të gëzojë fusha me ç’gjendet në të,
le të gërthasin me hare lëndët e pyjeve

 


Leximi i dytë (Tit 2, 11-14)

U duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve.

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Titit
Fort i dashur, u duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mëson t’i biem mohit besimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijoi vetveten për ne që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin që Atij i përket, që të jetë plot zell për të kryer vepra të mira. Fjala e Zotit

 


Aleluja!
Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, ju lindi Shëlbuesi ‑ Krishti Zot!

Aleluja!

 


Ungjilli  (Lk 2, 1-14)

Sot ju lindi Shëlbuesi.

Leximi i ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës. Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. Të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. Kështu edhe Jozefi, pasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë.Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet ‑ të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta.  Në atë vend ishin disa barinj, të cilët e kalonin natën përjashta për të ruajtur grigjën e vet. Engjëlli i Zotit u afrua tek ata dhe lavdia e Zotit i shndriti e ata u trembën për së tepërmi. Engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mirë: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit ju lindi Shëlbuesi ‑ Krishti Zot! Dhe, ja shenja për ta njohur: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd.” Engjëllit menjëherë iu bashkua një ushtri e madhe qiellore, që madhëronte Hyjin e brohoriste: Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër!”Fjala e Zotit