menu close menu

Java e V Gjatë Vitit A

Leximi i parë (Is 58,7- 10)
Drita jote do të shndritë porsi mesdita

Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti :` ndaje bukën tënde me të uriturin, pranoje në shtëpinë tënde skamnorët e të pashtëpitë? Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt; para teje do të ecë drejtësia jote e do të të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: “Këtu jam!”Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën, gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 112(111)
Ref. I drejti shkëlqen porsi dritën

Lum ai njeri që e druan Zotin,
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë:
I ëmbël është njeriu që mishëron e huazon,
punët e veta i kryen me ndërgjegje,
_______________________
ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij
me shpresë në Zotin,
_______________________
të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve;
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,
balli i tij ngallit për nder.
______________________

 

 

Leximi dytë (1Kor 2,1- 5)
Ua kumtova dëshminë e Jezu Krishtit të kryqëzuar.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit dhe Atë të kryqëzuar. Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja!
Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës.
Aleluja!

 

Ungjilli (Mt 5, 13- 16)
Ju jeni drita e botës.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u than nxësësve të vet : “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit. Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.” Fjala e Zotit