menu close menu

KRESHMET – E MËRKURA E PËRHIME

Leximi i parë (Jl 2, 12-18)
Shqyeni zemrat e jo petkat.

Lexim prej librit të Joelit profet
Kështu thotë Zoti:  “Që tani ‑ është fjala e Zotit ‑ kthehuni me gjithë zemër kah unë,  me agjërim, me vaj e dënesje!  Shqyeni zemrat e jo petkat,  kthehuni kah Zoti Hyji i juaj,  sepse është i butë e edhe i mëshirshëm,  i durueshëm e shumë i dhimbshëm,  ndien keqardhje për fatkeqësi.”  Kush e di? Ndoshta kthehet edhe fal e lë pas vetes, ndoshta, bekimin! Kushte, njomje Zotit Hyjit tuaj! Bini borisë në Sion! Shenjtërohuni me agjërim, shpalleni një mbledhje të shenjtë!  Bashkojeni popullin, shenjtërojeni mbledhjen, mblidhni pleqtë, mblidhni të vegjlit e foshnjat e gjirit, le të dalë dhëndri nga dhoma e vet, le të dalë nusja nga oda e vet!  Ndërmjet tremes dhe lterit le të qajnë priftërinjtë shërbëtorët e Zotit e le të thonë: “Fale, o Zot, popullin tënd,  mos lejo të turpërohet prona jote e të sundojnë mbi të paganët!” Përse të thuhet ndër paganë: “Ku është tani Hyji i tyre?”  Iu dhembs Zotit toka e vet, e fali popullin e vet. Mbarimi i frushkullit dhe çlirimi. Fjala e Zotit

 

 

Psalmi 51 (50)
Ref.   NA FAL, O ZOT, SEPSE KEMI MËKATUAR.

____________________

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!
____________________

Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.
____________________

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.

____________________

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit
e fajtorët do të kthehen tek ti.

 

 

Leximi i dytë (2 Kor 5, 20-6, 2)
Pajtohuni me Hyjin. Ja momenti i volitshëm.

Lexim prej letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintianëve.
Vëllezër, Jemi, pra, përfaqësuesit e Krishtit! Hyji ju qorton përmes nesh! Ju përbejmë në emër të Krishtit: Pajtohuni me Hyjin!  Atë që kurrë nuk bëri mëkat, Hyji për ne e bëri mëkat, në mënyrë që në Të ne të bëhemi drejtësi e Hyjit. Pasi jemi bashkëpunëtorë me Të, ne ju nxisim: mos e lini pa fryt hirin që morët prej Hyjit! Ai thotë: ‘Në kohë të volitshme të vështrova, në ditë të shpëtimit të ndihmova.’ Ja, pra, tani koha e volitshme, ja, pra, dita e shpëtimit! Fjala e Zotit

 


Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Sot mos e bëni zemrën tuaj gur, por dëgjojeni zërin e Zotit. (Krh. Ps 95,8)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli (Mt 6, 1-6.16-18)
Ati yt që sheh në fshehtësi, do të shpërblejë.

Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
“Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell. Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.” “Kur të thoni uratë, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë. “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim!  Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.” Fjala e Zotit