menu close menu

KRESHMET – JAVA E PARË E KRESHMEVE E DIEL (A)

Leximi i parë (Zan 2, 7-9; 3, 1-7)
Krijimi i njerëzve të parë dhe mëkati i tyre.

Lexim prej librit të Zanafillës
Hyji bëri kupën e qiellit dhe i ndau ujërat që ishin nën kupën e qiellit prej atyre që ishin përmbi kupën e qiellit. Dhe u bë ashtu. Hyji e quajti kupën e qiellit ‘qiell’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e dytë. Hyji tha prapë: “Le të bashkohen ujërat, që janë nën qiell, në një vend të vetëm. E le të duket teriku!”. Dhe u bë ashtu.

Ndër të gjitha egërsirat e fushës që Zoti Hyj krijoi, gjarpri ishte më dinaku. Ky i tha gruas: “Vërtet, Hyji ju urdhëroi që të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?”.  Gruaja iu përgjigj: “Ne i hamë frutat e pemëve që janë në kopsht; porse për frytin e pemës që është në mes të kopshtit, Hyji na urdhëroi të mos e hamë as të mos e prekim që të mos vdesim”. Porse gjarpri i tha gruas: “Nuk do të vdisni assesi. 5Madje Hyji e di se kurdo të hani prej saj, sytë tuaj do të hapen e do të bëheni porsi Hyji duke e njohur të mirën e të keqen”.  Atëherë gruaja pa se pema ishte e mirë për ta ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe pemë e dëshirueshme për të fituar dijen; gruaja mori prej frytit të saj dhe hëngri. Pastaj i dha edhe burrit të vet që ishte me të. Hëngri edhe ai. 7Atëherë u hapën sytë të dyve. Kur panë se ishin lakuriq, gërshetuan gjethe fiqsh dhe bënë mbështjellës për vete.  Fjala e Zotit

 

Psalmi 51 (50)
Ref. NA FAL, O ZOT, SEPSE KEMI MËKATUAR.

______________________________

Ki mëshirë për mua, o Hyj, sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim!

__________________________

 Sepse e pranoj paudhësinë time:
mëkatin tim përherë e kam para sysh.
Ty, vetëm ty të kam rënë në faj
dhe kam bërë ç’është keq para teje.
_________________________

Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
_____________________________________

Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit
e fajtorët do të kthehen tek ti.

 

Leximi i dytë (Rom 5, 12-19)
Drejtësia e njërit – shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve.

Lexim prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve.
Vëllezër, sikurse me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan… ‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj,  prapë vdekja mbretëronte që prejAdamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte. Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkatin. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. E dhurata e hirit ka rrjedhim krejtësisht të ndryshëm nga ai i mëkatit të një njeriu të vetëm: gjyqi i shkaktuar prej mëkatit çon në dënim, kurse dhurata e hirit, pas shumë mëkatesh, jep shfajësimin. Kështu, pra, nëse me anë të mëkatit të një njeriu të vetëm, mbretëroi vdekja ‑ për shkak të një njeriu të vetëm ‑ me më shumë arsye do të mbretërojnë në jetë ata që marrin begatinë e pamasë të hirit e të dhuratës së drejtësisë nëpër një të vetmin ‑ Jezu Krishtin. Prandaj, mëkati i njërit ‑ dënim për të gjithë njerëzit, gjithashtu edhe drejtësia e Njërit ‑ shfajësim që u jep jetën të gjithë njerëzve. 19 Vërtet, sikurse me padëgjesën e njërit, mëkatuan të gjithë njerëzit, po ashtu, me dëgjesën e Njërit ‑ të gjithë njerëzit do të bëhen të drejtë. Fjala e Zotit

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. (Mt 4,4)

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 


Ungjilli (Mt 4, 1-11)

Jezusi agjëron për dyzet ditë në shkreti dhe tundohet nga djalli.

Leximi i ungjillit shenjt sipas Mateut
Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli. Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!”  Por Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Njeriu nuk jeton vetëm prej buke, por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. ’“ Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit  dhe i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet, dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!” Jezusi iu përgjigj: “Porse Shkrimi i shenjtë thotë edhe: ‘Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!”  Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre  e i tha: “Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”. “Atëherë Jezusi tha: “Ik, o djall, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd, dhe shërbeji vetëm Atij!’“ Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin. Fjala e Zotit