menu close menu

JAVA E TRETË E PASHKËVE  E DIELA – A

Leximi i parë (Vap 2,14. 22,33)
S`ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet.

Lexim prej Veprave të Apostujve
Atëherë Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjojini fjalët e mia! Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju;  këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet. Ti ma tregove udhën që shpie në jetë:në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime Vëllezër,më lejoni t’jua them haptas:Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. Por ai, pasi ishte profet dhe pasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij, që më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha:‘Nuk qe lënë në Nëntokëas trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.’Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni [edhe] ju vetë. Fjala e Zotit

 


Psalmi 16 (15)

Ref. Na e trego, o Zot udhën e jetës.

Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore!
I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,
tjetër të mirë nuk kam veç teje”!
Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota,
në dorën tënde është fati im!
__________________
E bekoj Zotin që më dha kuptim,
edhe natën veshkat e mia më mësojnë.
Zotin e kam gjithmonë para sysh,
më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!
Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,
mbarë trupi im pushon në qetësi.
_______________________
Edhe trupi im pushon në qetësi
Sepse S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë,
as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.
_____________________
Ti do të ma tregosh udhën e jetës,
gëzimin e plotë para fytyrës sate,
kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

 


Leximi i dytë (1Pjt 1, 17-21)

Keni qenë shpërblyer me gjak të paçmueshëm të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë.

Lexim prej Letrës së parë të shën Pjetrit apostull
Fort të dashur në qoftë, pra, se ju e quani atë Atë që pa krahmbajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tij, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit! Dijeni mirë: nuk jeni shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë gjë të shkatërrueshëm – argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë. Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj.Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpesa të jenë në Hyjin. Fjala e Zotit

 


Aleluja!

O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.
Aleluja!

 


Ungjilli (Lk 24, 13-35)

E njohëm në thyrjen e bukës

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. Ai i pyeti:“Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”Ata u ndalën të trishtuar e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj:“A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti:“Po çka?”Ata iu përgjigjën:“Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë. Ai u tha:“O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të. Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. Po ata iu vunë:“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”Dhe hyri që të rrijë me ta.Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. Atyre iu hapën sytë dhe e njohën… Por ai u zhduk para syve të tyre. Atëherë i thanë njëri‑tjetrit:“Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë:“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën. Fjala e Zotit