menu close menu

JAVE E XII VITI – A

Leximi i parë (Jer 20, 10-13)
Zoti e çliroi shpirtin e të varfërit nga dora e keqbërësve.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Tha Jeremia: I dëgjoja shpifjet e shumëve, tmerr gjithkund përreth:‘Paditeni! Le ta padisim!’ Të gjithë dashamirësit e mi vërenin rënien time: ‘Ndoshta do të lejojë të gënjehet! Do të ngadhënjejmë mbi të, atëherë do të hakmerremi!’ Por me mua është Zoti si trimi i trimave, prandaj ata që më përndjekin, do të rrëzohen e s’do të ngadhënjejnë: turpi do t’i mbulojë se s’do t’ia dalin qëllimit, turp e përhershme që kurrë s’do të shlyhet! O Zoti i Ushtrive, ti, o sprovuesi i të drejtit, që ia sheh veshka e zemër, bëj ta shoh hakmarrjen tënde mbi ta, sepse në dorë tënde e lashë çështjen time! Këndojini Zotit, lëvdojeni Zotin, që e çliroi shpirtin e të varfërit nga dora e keqbërësve. Qoftë mallkuar dita kur unë linda;dita kur më lindi nëna imejo, mos qoftë bekuar!  Fjala e Zotit

Psalmi 69 (68)
Ref. Më dëgjo, o Zot, në dashurinë tënde të madhe
_______________________

E ndëshkova veten me agjërim,
por kjo m’u kthye në çnderim;
për petk vesha grathoren,
përrallë e lodër u bëra për ta.
Kundër meje flasin ata që rrinë në derë,
pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.
__________________________

E pra, unë ty të lutem, o Zot,
në kohën e përshtatshme, o Hyj,
më vështro pashë dashurinë tënde,
pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!
Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt,
shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,
_______________________________

Le të shikojnë të përvuajturit e le të gëzohen;
kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.
Sepse Zoti i dëgjon skamnorët,
s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.
Le ta lavdërojnë qielli e toka,
detet dhe gjithçka lëviz në to.

 

 

Leximi i dytë ( Rom 5,12- 15)
Me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkat.

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, me anë të një njeriu mëkati hyri në botë e, me anë të mëkatit, vdekja, dhe kështu vdekja kaloi në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë njerëzit mëkatuan…‑ në të vërtetë, edhe para Ligjit mëkati ishte në botë dhe, megjithëse nuk mund të mbahej për mëkat pasi ende nuk kishte Ligj,  prapë vdekja mbretëronte që prejAdamit e deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk mëkatuan me mëkat të njëjtë si ai i Adamit, i cili është prototipi i Atij që do të vinte. Por me dhuratën e hirit nuk ngjau si me mëkatin. Sepse, në qoftë se me mëkatin e një njeriu të vetëm, vdiqën të gjithë njerëzit, shumë më tepër u ndikua mbi të gjithë njerëzit hiri i Hyjit dhe dhurata e dhënë për hir të një Njeriu të vetëm ‑ Jezu Krishtit. Fjala e Zotit

 

Aleluja !
Shpirti i së vërtetës do të dëshmojë për mua, por edhe ju do të dëshmoni për mua, thotë Zoti.
Aleluja !

 

Ungjilli ( Mt 10, 26-33)
Mos i duani ata që vrasin trupin.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet : “Mos ua kini, pra, frikën njerëzve! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet! Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin. A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!” “Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.”  Fjala e Zotit