menu close menu

JAVA E XXII GJATË VITIT – A

Leximi i parë ( Jer 20, 7-9)
Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!

Lexim prej librit të Jeremisë profet
Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove.U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin. Sa herë që më duhet ta shpall fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!” Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën! Atëherë thashë me vete: më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas! Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, u ndrye në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda! Fjala e Zotit

Psalmi 63 (62)

Ref. : Shpirti im ka etje për ty, o Zot.

_________________________________

O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.

Ka etje për ty shpirti im,

ty të dëshiron trupi im,

tokë e shkretë, e thatë, e paujë.

______________________________

Kështu erdha në Shenjtëroren tënde

për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.

Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:

Buzët e mia do të të lavdërojnë.

____________________________________

Kështu do të të bekoj në jetën time

e në Emrin tënd do t´i lartësoj duart e mia,

do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,

me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.

________________________________________

Sepse ti je bërë ndihma ime,

prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!

Shpirti im u mbështet në ty,

e djathta jote më mban.

_______________________________

Leximi i dytë ( Rom 12,1-2)
Kushtoni trupin tuaj flit ë gjallë.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit – porsi kultin tuaj shpirtëror.  Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur. Fjala e Zotit.

Aleluja!

Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit t´ju japë Shpirtin e dijes që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja jonë.

Aleluja!

Ungjilli ( Mt 16, 21-27)
Nëse ndokush do të vij pas meje, le ta mohojë vetveten.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrisnin e të tretën ditë do të ngjallej. Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë!”Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djallë! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!” Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë. Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre”. Fjala e Zotit.