Menu Schließen

FORUMI I GRAVE

forumi i grave

Forumi i grave “ Nëna e Këshillit të mirë” 

Forumi i grave “ Nëna e Këshillit të Mirë”, është një grup i besimtareve të devotshme, të cilat tashmë janë mishëruar me punën dhe angazhimin vullnetar në Misionin tonë.

Për sa i përket organzimit të tyre, gjithçka filloi spontanisht dhe në mënyrë vullnetare. Në fillim, rreth tri vite të plota ishin 12 gra të rregullta, të cilat shprehën vullnetin e tyre të jenë sa ma afër motrave të nderit, të cilat sapo kishin filluar të punojnë në Mision, duke i ndihmuar ato në shumë punë rreth çeshtjës së organizimeve të ndryshme.

Takimi i parë me gratë u mbajt pikërisht me 08 dhjetor të vitit 2001 ( dy muaj pas ardhjes së motrave në Misionin tonë). Këtë takim me karakter shpirtëror e organizuan motër Violeta Kola dhe motër Mrikë Sabedini. Edhe pse ftesës së motrave për këtë takim iu përgjigj një numër i vogël i grave, bashkarisht vazhduan me organizimin e takimeve të tjera. Kështu, në takimin e radhës më 11 shkurt të vitit 2002, në festën e Zojës së Lurdit arritën të organizohen edhe më mirë, kështu, përherë shtohej numri i pjesëmarrëseve të reja. Filluan edhe takimet shpirtërore me gra të cilat organizoheshin 4 – 5 herë në vit. Më vonë formuan grupin punues të cilin e emërtuan “Forumi i Grave – Zoja e Këshillit të Mirë”.

Me themelimin e këtij grupi, puna dhe ativitetet në Mision filluan të frymojnë ndryshe, ku gjithçka organizohej në një frymë vërtetë familjare, me vullnet dhe dashuri.

Edhe sot, motrat bashkë me këtë Forum vazhdojnë pa ndërprërë angazhimin e tyre, së pari me takime të rregullta shpirtërore, pastaj edhe me aktivitete tjera kulturore dhe humanitare, festa të ndryshme në Mision, si: dreka ose darka të përbashkëta me besimtarët, kujdeset për përgatitjen e ushqimeve në festa të përbashkëta me famullitë zvicerane ( në kremtimin e Ditës së Popujve, festën e Korpit të Krishtit, Pajtorit të famullisë së Shën Mihillit, apo për festën e Zojës së Këshillit të Mirë e kremtime të tjera).

Vlen të theksohet edhe fakti se në vitin 2007, Forumi përfaqësoi Shtetin tonë krahas shumë shteteve të tjera, me ushqime tradicionale në Weinachtsmarkt (Tregu i Krishtlindjes) në Luzern. Pastaj Apero e organizuar me rastin e 20 vjetorit të Misionit. Përveç këtyre aktiviteteve ka edhe festa të tjera që mund të përmenden siç janë festa e ditës së nënave, puna me fëmijë etj.

Qëllimi i angazhimit të tyre në Mision, përveç ushtrimit të jetës shpirtërore, është që besimtarët të organizohen sa më mirë për aktivitete të ndryshme: Organizimet festive, përkrahja e familjeve në vështirësi të ndryshme, vizita të të sëmurëve etj. Forumi ka edhe fondin e vet, dhe nga ky fond modest, i mbledhur në forma të ndryshme (shitja e ushqimeve tradicionale me çmime simbolike), ndihmohen familjet në nevojë apo të sëmurët, qoftë në Kosovë apo në Shqipëri. Pra, Forumi, pas qëllimit të parë që është jeta shpirtërore, është dorë e zgjatur për të zbutur sado pak vuajtjen dhe dhimbjen e njerëzve në nevojë. Nga ky fond janë përkrahur projekte të motrave të nderit në Misione (Afrikë), Radio Maria në Shqipëri, ambulancat e Bashkësive Rregulltare në Kosovë, ndërtimi i Katedralës në Prishtinë, etj.

Në këtë Forum, që synon të bëhet Shoqatë pranë Misionit, mund të antarësohen të gjithë njerëzit vullnet mirë (burra e gra) nga Misioni ynë.

Më këtë rast, i falënderojmë të gjitha gratë, nënat të cilat më përkushtim kontribuojnë me punën e tyre, në nder e lavd të Zotit dhe për të mirën e të afërmve.

Zoti i shpërbleftë me hiret dhe bekimet e veta!

Motrat e nderit, M. Mrikë dhe M. Valbonë