Menu Schließen

MISIONI

Historik i shkurtër i Misionit

Shqiptarët emigruan në Zvicër kryesisht rreth viteve 70’ si punëtorë sezonalë. Ata ishin kryefamiljarë të cilët ishin përgjegjës për mirëqenien e familjeve që kishin lënë në vendlindje. Shumica e tyre erdhi me synimin për t’u kthyer në shtëpi pas disa vitesh. Me përkeqësimin e situatës ekonomike, shoqërore e politike të viteve të 90’, ata filluan t’i marrin me vete familjet e tyre. Me këtë rast, bëhet fjalë vecanërisht për besimtarët katolikë nga Kosova, megjithëse ka edhe nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Përveç gjendjes ekonomike për të cilën emigruan, kishte edhe arsye të tjera siç ishte gjendja e para luftës në Kosovë, e cila u përshkallëzua deri në terror dhe përsekutim të popullsisë në Kosovë.

Tashmë në Zvicër jetojnë rreth 20.000 shqiptarë të besimit katolik. Prej tyre rreth 7000 në Misionin e Luzernit. Misioni mbulon pjesën Qendrore të Zvicrës dhe dy bashkësi të vogla besimtarësh në Tessinë dhe Wallis.

Disa vite para themelimit zyrtar të Misionit, P. Hil Kabashi i cili ishte i misionar në Misionin e Stuttgartit, herë pas here kremtonte meshë me shqiptarët në Zvicër.

Misioni Katolik Shqiptar (në formën kishtare) e filloi veprimtarinë me 24 qershor të vitit 1991 në kishën e madhe të shën Gjergjit në Sursee LU. I ndihmuar prej aktivistëve menjëherë bëhet marrëveshja dhe përpilohet programi i meshëve javore një herë në kishat ku pjesmarrja e besimtarëve ishte më e madhe e më vonë u stabilizua edhe programi vjetor.

Dy ishin qendrat e para të njohura edhe gjatë shërbimit ‘volante” të fra Hil Kabashi-t, misionar në Stuttgart: Sursee LU dhe Bazenheid, SG.

Pas më tepër së tetë muaj të veprimtarisë tashmë të njohur, me 1 prill të vitit 1992 nënshkruhet Kontrata e Punës ndërmjet misionarit të parë, don Aleksandër Kola dhe SKAF i kryesuar nga Dr Urs Koppel drejtor kombetar për të huajtë dhe kështu hapet zyrtarisht Misioni Katolik Shqiptar në Zvicër, me seli në Luzern.

Në fillim, Misioni pati strehimin në ambientet e Misionit Italian në Kriens, ndërsa pas tri viteve zyra e Misionit do të kalojë në Littau. Në vitin 1999 bëhet zavendësimi i misionarit. Në vend të Don Aleksandrit vjen Don Marjan Marku. Pak kohë më vonë me shërbim në Zvicër vjen edhe Don Marjan Demaj, dhe kështu krijohen kushte për themelimin e një Misioni të ri. Ndërkohë në vitin 2003 themelohet Misioni në Sirnach (TG). Pas ardhjes së meshtarit të tretë shqiptar në Zvicër, Don Mikel Sopit, është themeluar Misioni i tretë në vitin 2005 me seli në Aarau.

Përveç meshtarëve, që nga tetori 2001 në Luzern vijnë për shërbim edhe motrat e nderit “Bijat e dashurisë Hyjnore”, pastaj në Sirnach në vitin 2003, dhe që nga viti 2014 motrat françeskane edhe në Aarau.