menu close menu

ENGJËJT

engjejtMuaji tetor, përveç se veçohet si muaji i Zojës Rruzare, është edhe muaji i engjëjve. Më 2 tetor, Kisha feston ditën e Engjëllit Rojës. Kësaj feste i paraprinë festa e Kryeengjëjve, që shënohet me 29 shtator. Duke marrë para sysh rëndësinë e engjëjve në jetën e Kishës dhe të njerëzve, ky shkrim modest synon të na nxisë që t’i njohim edhe më shumë engjëjt dhe të meditojmë për rolin e tyre në çdo ditë të jetës sonë.

Këtu po sjellim disa shënime që lidhen me këto krijesa të Hyjit aq të rëndësishme edhe për shëlbimin e shpirtrave tanë. Pa dyshim, aty-këtu lexojmë për ta, u lutemi dhe besojmë në ekzistencën e tyre, pastaj jeta është aq e bujshme me ngjarje, saqë, edhe pse engjëjt na shoqërojnë pa nda, ndoshta pak e vërejmë ndihmën e tyre. Janë të heshtur, të pa dukshëm, por janë të pranishëm.

Fjala engjëll buron nga fjala greke γγελος (angelos) e do të thotë lajmëtar, i dërguar.

Si ndër shumë popuj e kultura të ndryshme, edhe ndër ne, engjëjt janë shpesh temë diskutimesh e përjetimesh të shumta. Qysh nga përvoja fëmijërore, atëherë kur prindërit na flisnin për engjëjt rojtarë, nuk e kemi harruar lutjen: “Engjëlli i Zotit që je Rojtari im…” Na thuhej se çdo njeri e ka engjëllin e vet rojtar që na shoqëron në çdo hap të jetës. Ata janë në shërbimin tonë dhe kjo dëshmon dashurinë që Zoti e ka ndaj nesh. Këta shpirtra qiellor e kanë një mision të shenjtë prej Zotit, që të na ndihmojnë në rrugën e shëlbimit. Lutja dhe besimi në këto krijesa të shenjta, krijon bindjen e shoqërimit të sigurt: “Unë udhëtoj me engjëjt”.

Inteligjenca e tyre është më e lartë se e jona, por nuk janë të gjithëdijshëm, ata nuk ndërhyjnë në brendësinë e njeriut, në lirinë dhe vullnetin e tij, ata veprojnë nga jashtë duke na mbrojtur nga rreziqe të ndryshme qoftë fizike apo shpirtërore.

Shkrimi i Shenjtë na flet për nëntë Kore të Engjëjve. Edhe në Letrën drejtuar Efesianëve dhe të Kolosianëve mësojmë për këto Kore: Fronet, Zotërimet, Fuqitë, Principatat, Pushtetet, Kerubinët dhe Serafinët; sidomos Kryeengjëjt, që janë shtatë, por që ne më shumë i njohim tre prej tyre: Gabrieli, Rafaeli dhe Mikaeli.

Lidhur me këtë, sa i përket numrit të engjëjve, bëhet fjalë për turma të panumërta. Në bazë të dëshmive që hasim në Shkrimin e Shenjtë, besojmë se numri i tyre është shumë i madh. Jezusi në një rast flet për dymbëdhjetë legjione engjëjsh (Mt 26, 53). Një legjion përbëhet prej 6 mijë – që në këtë rast bëjnë 72.000 engjëj. Pastaj flitet për një mijë herë një mijë, apo dhjetë mijë herë një qind mijë. Pra, këtë numër e dinë vetëm Zoti.

Engjëjt e adhurojnë Hyjin, e lëvdojnë Atë, prandaj janë të lumtur. Ata jo vetëm se janë të fuqishëm e të talentuar, por janë të pajisur me hir dhe fuqi të mbinatyrshme.

Si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu në Besëlidhjen e Re, në shumë vende na flitet për këto krijesa të Zotit. Engjëjt janë lajmëtarët e Zotit dhe sjellin porosi të ndryshme gjatë historisë së shëlbimit. Ndonjëherë as nuk i njohim si engjëj, sepse marrin formën e njeriut. Shfaqen si të ndritshëm e rrezatues, pastaj edhe sikur shfaqin frikë, e kjo na kujton fjalët kur Gabrieli i thotë Zojës Bekuar: “Mos ke frikë!”, apo barinjve: “Mos keni frikë!” Në kujtimet e veta, Lucia e Fatimes, një nga fëmijët që ka pasur privilegjin ta shoh Zojën e Bekuar në vitin 1917, sa bukur e përshkruan lajmërimin e engjëllit të paqes: Ajo thotë: “po e shihnim një dritë më të bardhë se bora, një i ri që shndriste me shkëlqim të madh si kristali në rreze të diellit. Duke u afruar na thoshte: Mos keni frikë, jam engjëlli i paqes, lutuni me mua”!

Engjëjt janë shërbëtorët e Hyjit, apo të dërguarit e Tij, të cilët kanë detyrë të caktuar edhe kundrejt njeriut. Ta mbrojnë atë, apo të sjellin porositë e Zotit në mesin e njerëzve. Ata nuk bëjnë asgjë me nismën e vet, por e kryejnë vullnetin e Zotit. Engjëjt në Shkrimin e Shenjtë nuk janë personazhet kryesore, por kanë rol të rëndësishëm duke e shoqëruar Hyjin në veprën e shëlbimit. Ata duan që njeriu ta takojë Zotin dhe të ndjekë rrugën e Tij, duke e vënë në qendër të vëmendjes Krijuesin e përbashkët – të engjëjve, të njerëzve, e të gjitha krijesave të tjera në qiell e në tokë.

Njerëzit nuk i adhurojnë engjëjt, por bashkë me ta e adhurojnë Hyjin. Në Zbulesën e Shën Gjonit lexojmë pohimin e tij:“Atëherë rashë para këmbëve të tij për ta adhuruar, por ai më tha: »Prite Zot! Edhe unë jam shërbëtor si ti dhe si vëllezërit e tu që dëshmuan Jezusin! Adhuro vetëm Hyjin!”(Zb 19, 10). Po ashtu, në këtë kontekst shkruan edhe Shën Pali në Letrën drejtuar hebrenjve: “A nuk janë, thua, të gjithë engjëjt shpirtra të ngarkuar me ndonjë shërbim, të dërguar për t’u shërbyer atyre që do ta trashëgojnë shëlbimin?” (Heb 1, 14).

Bibla na flet edhe për engjëjt e rebeluar kundër Hyjit. Ngritën kundër Hyjit dhe nuk duan ta shërbejnë. Këta janë të ashtuquajturit demonët të cilët iu nënshtruan Luciferit dhe Satanës. Demonët janë po aq real si engjëjt. Ata janë jashtë asaj fryme të Hyjit dhe hirit të tij, prandaj provojnë të dëmtojnë çdo gjë që ka krijuar Hyji, e mbi të gjitha njerëzit.

Aty këtu mund të dëgjohen vërejtje se engjëjt janë shifra dhe fantazi që i kanë shpikur njerëzit, por nuk është ashtu. Të gjithë kemi përjetuar momente të pa shpjegueshme në jetë, momente kur na janë gjetur engjëjt afër dhe na kanë ndihmuar.

Engjëjt janë realitet, nuk janë të gjithëpranishëm ose të plotëfuqishëm, por na shërbejnë me urdhrin e Hyjit. Për misionin e tyre na flet edhe Shën Gregori i Madh, Papë, në “Homelitë mbi ungjijtë”: “Fjala “engjëll” tregon shërbesën e jo natyrën. Ata që sjellin lajme të rëndomta quhen engjëj, ndërsa ata që lajmërojnë ngjarjet më të mëdha quhen kryeengjëj. Për këtë arsye Virgjërës Mari nuk iu dërgua një engjëll dosido, por kryeengjëlli Gabriel. Ishte e drejtë që për këtë detyrë të dërgohej një prej engjëjve më të mëdhenj, për të sjellë më të madhin lajm prej të gjitha lajmeve.”

Atyre u jepen emra të veçantë, kështu që edhe nga mënyra se si i quajmë të tregohet se çfarë lloj misteri u është besuar. Kur të vijnë tek ne për ndonjë mision, e marrin emrin e detyrës që janë duke kryer. Kështu Mikael do të thotë: Kush është si Hyji?, Gabriel: Forca e Hyjit, dhe Rafael: Ilaçi i Hyjit.

Shkrimi i Shenjtë për engjëjt

Shkrimi i Shenjtë na sjell plotë dëshmi për ekzistencën e engjëjve. Me këtë rast po sjellim disa prej tyre. Para se Hyji të krijonte tokën e qiellin, pastaj edhe njeriun në shëmbëllesën e vet, i kishte krijuar engjëjt, këta shpirtra të mirë. Libri i Zanafillës na paraqet komunikimin e drejtpërdrejt të Hyjit me njeriun. Pas mëkatit të parë, Hyji e dëboi njeriun nga kopshti i Edenit që ta punojë tokën, prej së cilës qe krijuar, dhe, në lindjen e kopshtit të Edenit, i vendosi kerubinët e shpatën flakëruese e vringëlluese për ta ruajtur shtegun e pemës së jetës (Zan 23-24).

Në librin e Zanafillës kapitulli 19 lexojmë për engjëjt dhe rrënimin e Sodomës, pastaj më tej kur Abrahami deshi të flijonte Isakun: “Prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham”! Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi!” (Zan 22, 11).

Engjëjt i hasim edhe në jetën e profetëve, si p.sh. te Elia profet, i cili gjatë udhëtimit drejt Horebit, i lodhur e i dëshpëruar në shkretëtirë bie të pushoj, ndërsa engjëlli i jep zemër dhe e thërret duke i thënë: “Çohu e ha, sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë” (1 Mbr, 5, 7).

Te Danieli profet lexojmë për guximin dhe dëshminë e tre të rinjve hebrenj të cilët nuk pranojnë të adhurojnë hyjnitë e Nabukodonozorit. Ndërkaq, “engjëlli i Zotit zbriti te Azaria e shokët e tij në furrë dhe e dëboi flakën e zjarrit nga furra, e u frynte në mes të furrës një freski vese. Zjarri aspak nuk i preku as s’u shkaktoi dhimbje as trazim” (Dan 3, 49-50).

Për engjëjt flitet edhe në shumë vende të tjera, ndërsa këtu po sjellim edhe disa nga  Besëlidhja e Re, e që na flasin për ngjarje apo dëshmi të caktuara që lidhen ngushtë me ndërhyrjen e engjëjve.

Kështu, paralajmërimi për lindjen e Gjon Pagëzuesit: “Atëherë iu duk engjëlli i Zotit: qëndronte në të djathtën e lterit të kemimit. Zakaria, kur e pa, u tremb dhe e kapi frika. Por engjëlli i tha: “Mos u tremb, Zakari! Lutja jote u pranua dhe Elizabeta, gruaja jote, do të lindë një djalë. Ti ngjitja emrin Gjon” (Lk 1, 11-13).

Pastaj, lajmërimi i lindjes së Jezusit: “Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!”(Lk 1, 26-30).

Kur kemi para sysh situatën në të cilën gjendet Jozefi, edhe në këtë rast Hyji kujdeset për të duke i dërguar engjëllin e vetë. Pasi që Jozefi mendonte ta linte Marinë “iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt.” Mt 1, 19 – 20). Kujtojmë këtu barinjtë dhe engjëjt, pastaj ikja në Egjipt e shumë raste tjera.

Duhet thënë se sidomos jeta e Jezusit mbi tokë, është e shoqëruar nga engjëjt. Këtë e hasim përveç te lindja e tij dhe jeta fëmijërore, edhe në momente të agjërimit si ai në shkretëtirë (Mt 4, 11), pastaj, gjatë lutjes në Gjetseman (Mt 26, 53), apo pas Ngjalljes së tij (Mt 28, 5-7).

Misioni i engjëjve sigurisht nuk mbaron me vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit, apo të Ngriturit e tij në qiell, por vazhdojnë të na shoqërojnë deri në mbarim të kohës, prandaj duhet të mbështetemi në ndihmën e tyre, duke i lutur me më shumë besim.

Në Veprat e Apostujve mësojmë për lirimin e Pjetrit nga burgu: “Pjetri flinte mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura e para derës rojtarët ruanin burgun. Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat. Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi sandalet!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Vishe petkun tënd dhe eja pas meje!” Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ndodhte me anë të engjëllit, por ai kujtonte se kishte një vegim. Kaluan rojën e parë edhe të dytën edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij. Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet e më shpëtoi nga dora e Herodit dhe prej gjithsa që priste populli i judenjve” (Vap 12, 6-11).

Në Besëlidhjen e Re, mbi të gjitha Zbulesa e Shën Gjonit është e pasur me praninë e engjëjve. Siç është thënë edhe më lart, këta shpirtra të mirë janë në anën e njerëzve për ta luftuar të keqen. “Atëherë filloi lufta në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e vet edhe Dragoi ra në luftë, por nuk fitoi: për ta nuk pati më vend në qiell! Dhe, Dragoi i madh, Gjarpër i vjetër – që quhet Djall – Satani, ngashënjyesi i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën!” (Zb 12, 7-9).

Në këtë pjesë të Zbulesës përshkruhet lufta e madhe që u zhvillua në botën e engjëjve, ku, Shën Mikaeli dhe engjëjt e tij, përleshën me dragoin. Kjo ishte beteja e parë shpirtërore në historinë e krijimit dhe, nga kjo, ne të gjithë mund të mësojnë se fitojnë ata që mbështeten në fuqinë e Krishtit, “Gjakun e Qengjit“. Prandaj, është shumë e nevojshme që në betejat shpirtërore ta përtërijmë besimin tonë në Fuqinë e Qengjit, që është shpresa jonë më e madhe për ngadhënjim mbi të keqen. Askush nuk mund të shmangë luftën shpirtërore, kështu që, është e nevojshme të jemi vigjilent dhe të qëndrueshëm në lutje, sepse, vërtetë „shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë“ (Mk 14, 38). Shën Pjetri këtë e ka kuptuar mirë. Edhe ai e ka përjetuar në veten e tij prandaj na mëson: „Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë“ (1 Pj 5, 8). Ne jemi të privilegjuar, sepse në këtë betejë që na kërcënon çdo ditë, nuk jemi vetëm, por na ndihmojnë engjëjt. Ata na ftojnë në kthim shpirtëror, sepse e duan shpëtimin tonë.

Kisha dhe engjëjt

Qysh nga Koncili IV i Lateranit (1215), Kisha e definon dogmën për engjëjt: “Hyji me fuqinë e tij, në fillimin e kohës nga asgjëja e krijoi botën shpirtërore dhe atë fizike, botën e engjëjve, tokën e pastaj njerëzit…” Pastaj, edhe në Koncilet të tjera flitet për krijesat shpirtërore e kështu deri të Koncili I i Vatikanit. Papa Piu XII në enciklikën “Humani generis”, flet për engjëjt si qeniet që kanë personalitet shpirtëror. Koncili II i Vatikanit nuk e përdorë fjalën “engjëll”, por flet për krijesat qiellore, duke aluduar në engjëjt. Pra, Kisha e ka të patundur dhe të pa ndryshuar bindjen për ekzistencën e engjëjve.

Si Trup mistik i Krishtit ajo identifikohet me engjëjt. Që nga fillimi Kisha jeton e shoqëruar nga engjëjt dhe bashkë me ta lavdëron Hyjin; me aradhet e engjëjve, me fuqitë e epërme dhe pushtetet engjëllore, bashkohet me serafinët e lumtur duke brohoritur me galdim: Shenjt, shenjt, shenjt… Engjëjt dhe njerëzit i bashkon edhe fakti se janë të krijuar nga i njëjti Krijues. Jeta jonë është e shoqëruar nga engjëjt deri në momentin e vdekjes. Sidomos luajnë rol të rëndësishëm kur bëhet fjalë për kalimin në amshim. Atëherë lutemi duke thënë: “Dilni para, o Engjëjt e Zotit, merreni ju shpirtin e tij dhe çojeni para të Tejetlartit Zot; Engjëjt të çofshin në parriz; të marrtë kori i Engjëjve” etj.

Engjëjt mund t’i kemi takuar në mënyra e rrethana të ndryshme të jetës. Çdo njeri mund të jetë një engjëll që më ka dërguar Hyji. Prandaj, edhe pse e kemi bindjen se engjëjt kanë krahë, janë të veshur me të bardha, dhe i përkasin vetëm qiellit, nuk duhet të harrojmë se ata jetojnë pranë nesh, kanë fytyrën e një nëne, të një babai, të një motre, të një vëllai, të një bashkëshorti, të një fëmije. Janë afër nesh, mund të bisedosh me ta, mund të na bëjnë që edhe më shumë ta duam Hyjin dhe të afërmin. Prandaj, në këtë drejtim, secili duhet të angazhohet të jetë një engjëll për të afërmin e vet.

Po përmbyll këtë shkrim për engjëjt me fjalët e Shën Bernardi abat, i cili në një prej Fjalimeve të tij thotë: “Engjëjve të vet urdhra u dha të të ruajnë në të gjitha udhët e tua” (Ps 91, 11). Dhe për të treguar se qielli nuk kursen asgjë nga ato që mund të jetë në dobinë tonë, na i vendos pranë ata shpirtra qiellor, që të na ruajnë, që të na mësojnë dhe të na udhëheqin. Edhe pse engjëjt janë vetëm zbatues të thjeshtë të urdhrave hyjnorë, duhet t’u jemi mirënjohës edhe atyre, sepse i binden Zotit për të mirën tonë. T’i duam, pra, me dashuri të zjarrtë engjëjt e Hyjit, si ata që një ditë do të jenë bashkëtrashëgimtarët tanë, ndërkohë që tani janë udhëheqësit dhe kujdestarët tanë”.

ShpërndajeShare on FacebookTweet about this on TwitterEmail this to someonePrint this page