Kreshmët janë kohë përgatitjeje: na përcjellin shpirtërisht drejt mistereve të mëdha të Pashkëve, na përgatisin të marrim pjesë e të gëzojmë frytet e Mundimeve, të Vdekjes e posaçërisht, të Ngjalljes së Krishtit. Me Krishtin e ngjallur, ngadhënjyes mbi mëkatin e mbi mbretërinë e errësirës, edhe ne duhet të ngjallemi për një jetë të re, plot hir e dashuri, plot virtyte e vepra të mira. Ky është edhe qëllimi kryesor i këtyre ditëve të shenjta. Veçoritë që e dallojnë këtë kohë janë: pendesa, bamirësia e lutja.
Ç’kuptim ka përhimja?
Gjesti i përhimjes, me të cilin nisëm udhën, na kujton zanafillën tonë: u gatuam nga balta, u bëmë prej pluhuri. Po, por pluhur në duart plot me dashuri të Zotit, që fryu Shpirtin e Tij të jetës mbi secilin prej nesh e dëshiron të vijojë ta bëjë. Dëshiron të vijojë të na japë frymën e jetës, e cila na shpëton nga frymë të tjera që mund të sjellin vdekjen.
Kreshme të shenjta e të frytshme për të gjithë!