Menu Schließen

Pagëzimi

Një Zot, një Fe, një Pagëzim

I pari dhe më i nevojshmi sakrament është pagëzimi. Pa të s`kemi të drejtë të marrim sakramentet tjera, sepse më parë duhet të lindemi në Zotin nëpërmjet të pagëzimit, që të jetojmë mandej me Zotin në sakramente tjera. Me anë të pagëzimit Krishti vulos në sopirti tonë një shenjë të pashlyeshme dhe nëpërmjet të saj shënon se i përkasin atij, shenjën e të cilit bajmë.

Krishti e ka themeluar këtë sakrament kur u ka thënë Apostujve të vet: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt!” Pagëzimi është dera nëpër të cilën hyjmë në mbretërinë e Hyjit, dhe në atë mbretëri nuk jemi të huaj, por trashëgimtarë në kuptimin e plotë të fjalës.

 Në çastin e pagëzimit njeriu bëhet i krishterë.

 E kjo do të thotë se i pagëzuari:

 1. Fillon një jetë të re me Zotin;

 2. Bëhet pjesëtar i Kishës së Krishtit;

 3. Zoti është strehuar në shpirtin e tij; i pagëzuari është bërë tempulli i Zotit të gjallë;

 4. Është “shartuar” në Krishtin dhe së bashku me të përbën një trup, në të cilin Krishti është kryet, gjersa i pagëzuari gjymtyrë e tij;

 5. Mëkati i rrjedhshëm, si edhe mëkatet e bëra ndoshta para pagëzimit, shlyhen me gjakun e Krishtit, kështu që ai nuk është më para Zotit fajtor, por bir i denjë i tij;

 6. Pagëzimi është “shenja e Krishtit”, dhe kurrsesi s`mund të shlyhet, por gjithnjë mbetet në shpirtin e të pagëzuarit: në nder të dëshmitarit dhe në në turp të mohuesit të tij.

Me rastin e pagëzimit lypet të jenë të pranishëm: fëmija, prindërit e tij dhe nuni apo nuna ( kumbara ose ndrikulla). Sipas ligjit kishtar, asnjë fëmijë s`mund të pagëzohet pa kumbarë ose pa ndrikull. Këta kanë për detyrë të ndihmojnë prindërit që i pagëzuari, kur të rritet, të fillojë fenë e vet t`a dëshmojë dhe sipas saj të jetojë. Prandaj kumbara ose ndrikulla lypet që të jenë të pjekur për detyrat që marrin. Këta duhet të jenë anëtarë të Kishës, të kenë marrë tri sakramente (pagëzimin, krezmimin, dhe kungimin), dhe të njohin të vërtetat e fesë. Lypet që fëmija të pagëzohet sa më parë. Mëkatojnë ata prindër, të cilëve për pakujdesi u vdes fëmija pa pagëzim. Çdonjëri që pagëzohet i vihet një emër shenjti, që ky ta ruajë gjatë jetës dhe t`i prijë me shembull të vetin kah qielli. Riti qenësor, me të cilin ndahet sakramenti i pagëzimit, përbëhet në këtë: gjersa i qitet uji në kokë të pagëzuarit dhe shqiptohen këto fjalë: Unë po të pagëzoj në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit Shenjt.

Pagëzimi në rast nevoje

Pagëzimin e ndan rregullisht meshtari në kishë. Por, në rast nevoje, nëse psh. fëmija gjendet në rrezik vdekjeje dhe parashihet se meshtari s`do të arrijë me kohë, atëherë pagëzimin mundet ta ndajë çdokush që din. Ai që pagëzon lypset: a) Të ketë qëllimin të bëjë atë çka bën Kisha kur pagëzon; b) të lagë ballin e fëmijës me ujë të pastër; c) ndërsa qet ujë, të thotë edhe fjalët: E. (emri i foshnjës) unë po të pagëzoj në emër të Atit (e zhyt foshnjën apo i qet ujë të parën herë) dhe të Birit (i qet ujë të dytën herë) dhe të Shpirtit shenjt (i qet ujë të tretën herë).

Edhe para këtij pagëzimi, sipas mundësisë, do të ishte mirë që të pranishmit të thonë Besojmën. Ndër ta gjenden edhe dy dëshmitarë. Pasi të përfundoj riti shenjtë, rasti duhet lajmëruar sa më parë famullitarit, që ky të plotësojë, nëse dhe kur të lejojë koha, edhe ritet tjera, por gjithashtu edhe ta shënojë në amzën e të pagëzuarve.

Përtëritja e kushteve të pagëzimit

 Të gjithë ata që janë pagëzuar në Kishën e Krishtit, lypset që në jetën e mëvonshme t`i përtërijnë kushtet që kanë bërë dikur si fëmijë. Sipas dëshirës së Kishës kjo përtëritje bëhet: me rastin e kungimit të parë, të krezmimit e gjithashtu në meshën e natës së Pashkëve.